Programet

Programet

  • REFORMAT E MSA-SË

    Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) hyri në fuqi më 1 prill 2016. MSA ka vulosur orientimin strategjik të Kosovës për t'u anëtarësuar në BE dhe ka krijuar kornizën formale dhe kontraktuale për të arritur këtë qëllim.


    MSA në 600 faqe, X tituj, 7 shtojca dhe 5 protokolle, rregullon pothuajse çdo aspekt të jetës së përditshme të qytetarëve. MSA është themel i procesit të integrimit evropian.


    Ne aspektin politik, MSA ka vendosur kornizën ligjore të bashkëpunimit brenda së cilës Kosova duhet të përafrojë dhe zbatoj legjislacionin e BE-së. 


    Ndërsa në aspektin ekonomik, MSA-ja ka paraparë kalendarin kohor brenda së cilit do të bëhet liberalizimi i plotë i tregut ndërmjet Kosovës dhe BE-së.


    Rëndësia e MSA-së pasqyrohet më së miri në faktin që BE-ja dhe Kosova nuk do nënshkruajnë më asnjë marrëveshje deri në Traktatin e Anëtarësimit. 


    Me qëllim zbatimit të dispozitave të MSA-së, Kosova miraton çdo vjet Programin Kombëtarë për Zbatimin e MSA-së. 


    BE-ja nga ana tjetër monitoron dhe vlerëson progresin e bërë me anë të publikimit vjetor të Raportit të Vendit. Raporti vlerëson: (1) gatishmërinë e vendit për tu bashkuar BE-së; (2) progresin e bërë brenda 12 muajve të kaluar. 


    Në bazë të MSA-së, Kosova ka marrë për obligim për të zbatuar reforma komplekse dhe të kushtueshme gjatë periudhës 10 vjeçare. Periudha e zbatimit është e ndarë në dy pjesë 5-vjecare. Pas periudhës të parë 5-vjecare, do të bëhet vlerësimi i zbatimit të MSA-së.


    Për të prioritizuar reformat e parapara me MSA, Kosova ka miratuar Agjenden Evropiane të Reformave  - një sërë reforma kyçe afatshkurtëra në fushën e sundimit të ligjit, konkurrencës dhe arsimit.


    Në këtë fushë hulumtuese, instituti fokusohet në:


    - Monitorimi i zbatimit të Programit të MSA-së;


    - Analiza dhe kontributi në punën e Këshillit, Komitetit, 7 nën-komiteteve dhe 2 Grupeve të Veçanta të MSA-së;


    - Analiza dhe kontributi në Raportin e Vendit.

  • NEGOCIATAT E ANËTARËSIMIT

    Fokusi i hulumtimit është në procedurat, mekanizmat dhe hapat që duhet të ndiqen kur Kosova fillon negociatat e anëtarësimit në BE.


    Pasi të tregojë një historik të besueshëm dhe bindës për reformat e zbatuara në kuadër të MSA-së, me një fokus të veçantë në sundimin e ligjit, bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore, Kosova do të dorëzoj kërkesën për statusin e kandidatit tek Presidenca aktuale e BE-së.


    Keshilli për Çëshje të Përgjithshme të BE-së do të ftoj Komisionin Evropian që të përgatit opinionin e tij (avis) për meritat e kërkesës së vendit aplikues.


    Këshilli Evropian në vendimin e tij për dhënien e statusit kandidat bazohet në opinionin (avis) të Komisionit Evropian.


    Pasi Këshilli Evropian konsideron që kriteret janë përmbushur do t'i ofroj Kosovës datën për hapjen e negociatave.


    Para fillimit të negociatave, Komisioni përgatit një raport vlerësimi të detajuar (screening report) për çdo kapitull. 


    Negociatat zhvillohen në kuadër të kornizës së konferencave ndër-qeveritare.


    Cili do qoftë, statusi kandidat apo hapja e negociatave kërkojnë votim unanim në Këshillin Evropian. Votim unanim kërkohet për hapjen dhe mbylljen e çdo kapitulli të negociatave për anëtarësim.


    Pas përfundimit të negociatave, dhe pajtimit të Parlamentit Evropian, Këshilli Evropian vendos me unanimitet për ta nënshkruar Traktatin e Anëtarësimit. Traktati duhet të ratifikohet nga gjitha parlamentet nacionale të vendeve anëtare.


    Puna e institutit në këtë fushë fokusohet në:


    - Kontributi në kohë në procesin e përgatitjes së përgjigjeve të pyetësorit;


    - Përkrahjen e investimeve të hershme në burimet njerëzore dhe shërbimin civil kualitativ, bazuar në meritë dhe të aftë për të absorbuar barrën administrative të procesit të anëtarësimit;


    - Kontributi për emërimin në kohë të Kryenegociatorit dhe Ekipit Negociator të besueshëm dhe të kualifikuar;


    - Kontribut në përgatitjen e pozicioneve negociuese;


    - Monitorimi i zbatimit të obligimeve të ndërmarra në kuader të procesit anëtarësimit;


    - Avokimi për rolin kyç të shoqërisë civile në negociatat e anëtarësimit.


  • LIBERALIZIMI I VIZAVE

    Ideja e liberalizimit të vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor u prezantua në Samitin e Selanikut në qershor 2003. Këshilli propozoi një listë reformash që duhet të ndërmirren për të përfituar nga procesi i liberalizimit vizave.


    Liria e lëvizjes është një nga liritë më të rëndësishme njerëzore dhe në procesin e integrimit evropian është instrument me ndikim më të madh te qytetarët e Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor.


    Megjithatë, liberalizimi i vizave është gjithashtu çështje e kufijve, sigurisë dhe migrimit. Prandaj, kjo është një problematikë shumë e ndjeshme dhe e rëndësishme për qytetarët e BE-së.


    Duke qenë një çështje e tillë - delikate dhe komplekse, instituti e kupton rëndësinë e liberalizimit të vizave si një instrument në procesin e integrimit evropian që përpiqet të balancojë, promovimin e vlerave fundamentale të BE-së me sigurinë publike të BE-së.


    Në qershor të vitit 2012, Kosova mori udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave me 95 kritere që duhet përmbushur në fusha si riatdhesimi dhe riintegrimi, siguria e dokumenteve, menaxhimi i kufirit, azili, migrimi, siguria publike dhe liria e lëvizjes dhe të drejtat themelore. Gjatë 6 viteve, Kosova plotësoi të gjitha 95 kriteret.


    Përmbushja e kushteve për liberalizimin e vizave me BE është e vështirë. Por vazhdimi i zbatimit të këtyre reformave, me një theks të veçantë në migrimin e parregullt dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, është edhe më i vështirë.


    Kosova do të jetë pjesë e asaj që njihet si mekanizëm i avancuar i pezullimit të vizave. 


    Ne kete drejtim, Kosova do të monitorohet nga afër nga Komisioni Evropian i cili është ligjërisht i detyruar të monitorojë përmbushjen e vazhdueshme të kërkesave të liberalizimit të vizave nga vendet jo anëtare të BE dhe të raportojë pranë Parlamentit Evropian dhe Këshillit, të paktën një herë në vit.


    Mekanizmi i pezullimit të vizave mund të aktivizohet në rrethanat e mëposhtme:


    - një rritje e konsiderueshme (më shumë se 50%) e migrimit të parregullt, përfshirë njerëzit që qëndrojnë në mënyrë të parregullt dhe personat të cilëve u është refuzuar hyrja në kufi;


    - një rritje e konsiderueshme (më shumë se 50%) e kërkesave për azil me shkallë të ulët të njohjes së drejtës (rreth 3-4%);


    - mungesa e bashkëpunimit në ripranim, sidomos në rast të një shkalle më të lartë refuzimi për aplikimet e ripranimit;


    - prezenca e rrezikut në rritje për sigurinë e Shteteve Anëtare, në veçanti vepra të rënda penale;


    Komisioni gjithashtu mund të aktivizoj mekanizmin në raste kur vendi nuk është më duke i plotësuar kriteret e liberalizimit të vizave;


    Me ekipin multidisciplinar, hulumtimi i institutit fokusohet në:


    - Rritja e ndërgjegjësimit për rregullat e regjimit të vizave;


    - Mbikëqyrja dhe kontributi në zbatimin e rekomandimeve që rrjedhin nga mekanizmi i monitorimit.

  • BASHKËPUNIMI RAJONAL

    Marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal janë elementet kyçe të procesit të Stabilizim Asociimit. Historikisht, ky kriter është dëshmuar të jetë politikisht çeshtje e ndjeshme mes një Shteti Anëtar dhe një vendi aspirues, ose ndërmjet vetë vendeve aspiruese.


    Në këtë drejtim, Kosova dhe Serbia duhet të normalizojnë marrëdhëniet e tyre para anëtarësimit në BE. Prandaj, BE-ja është duke fasilituar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.


    BE-ja ka zhvilluar disa instrumente për të mbështetur bashkëpunimin rajonal siç janë Procesi i Berlinit, Korniza e Investimeve e Ballkanit Perëndimor, Këshilli për Bashkëpunim Rajonal, SEETO, Komuniteti i Energjise, etj.


    Së fundi, në Samitin e Triestës, në korrik 2017, është lansuar Plani Shumë-vjeçar për Hapësirën Ekonomike Rajonale të Ballkanit Perëndimor.


    Plani synon të heq pengesat për levizje të lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe fuqisë punëtore, duke e bërë kështu rajonin më tërheqës për investime dhe tregti. Qëllimi i planit është që të përafroj ekonomikisht Ballkanin me BE-në dhe të përmirësoj mirëqenien e qytetareve të Ballkanit.


    BE-ja përkrah bashkëpunimin rajonal përmes Instrumentit Para Anëtarësimit Shumë-Përfitues. Ne këtë drejtim, BE-ja ka alokuar €2.9 miliard për periudhën 2014-2020. 


    Shoqëria civile ka potencialin të ofrojë një platformë për shkëmbimin e mendimeve dhe ideve dhe të lehtësojë përafrimin ndërmjet vendim-marrësve dhe qytetarëve.


    Hulumtimi i Institutit në këtë fushë fokusohet në:


    - Monitorimi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë;


    - Monitorimi i zbatimit të obligimeve nga dialogu për normalizimin e marrëdhënieve, në kuader të kapitullit 35;


    - Udhëheq dhe merr pjesë në iniciativat e bashkëpunimit rajonal mes shoqërisë civile të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.

  • EVROPA IME

    Në një botë gjithnjë më të globalizuar, ekziston një distancë në rritje midis qeverive dhe atyre që qeveritë ju sherbejnë. Qytetarët në mbarë botën vazhdojnë të tregojnë mungesë entuziazmi për pjesëmarrje në proceset demokratike.


    Kjo vlen veçanërisht për Bashkimin Evropian.


    BE është një strukturë komplekse, aspektet e të cilave shpesh janë të vështira për t'u shpjeguar edhe nga ekspertet teknik.


    Në këtë kontekst, ne konsiderojmë se Kosova si shtet anëtar i ardhshëm i BE-së duhet të ndërmarrë hapa të hershëm për të komunikuar në mënyrë të hapur, faktike dhe të kuptueshme përfitimet e anëtarësimit në BE.


    Çdo aspekt i jetës së përditshme të qytetarëve të Kosovës do të preket nga procesi i integrimit evropian - nga ajri që thithim, lodrat që fëmijët tanë luajnë dhe uji që pimë në shtëpitë tona.


    BE-ja ka zhvilluar disa mekanizma që kanë për qëllim përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve. Në këtë drejtim, Instrumenti i Para Anëtarësimit (IPA) është më i rëndësishmi.


    IPA është instrument financiar i BE-së qëllimi i së cilit është të asistoj Kosovën në zbatimin e reformave në rrugën e saj integruese. Në kuptimin më praktik, IPA janë paratë e tatimpaguesve të BE-së cilat kanë për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës. Për periudhën 2014-2020, BE-ja ka ndarë afro €602.10 milion. 


    Me qëllim të mbështetjes së shkëmbimeve dhe kontaktit ndërmjet qytetarëve të BE-së dhe Kosovës, në nëntor 2016, palët kanë nënshkruar Marrëveshjën Kornizë për Qasje të Kosovës në Programet e BE-së. Marrëveshja i ka mundësuar Kosovës qasje në të gjitha Programet e BE-së.


    Programet janë mekanizma që financojnë shkëmbimin dhe bashkëpunimin ndërmjet Vendeve Anëtare të BE-së dhe Kosovës. Për shembull, programi ndoshta më i famshëm është ERASMUS+, program i cili mbështet shkëmbimin e studentëve.


    Në kuadër të këtij programi, hulumtimi fokusohet në temat e mëposhtme:


    - Kontributi në zhvillimin/programimin e Instrumentit të Para Anëtarësimit (IPA);


    - Promovimi i qasjes në programet e BE-së nga shoqëria civile, akademia dhe biznesi;


    - Zbatimi i programeve të ndërgjegjësimit për BE-në.

Share by: